Dëmtimi nuk ishte shumë i madh, por gjithsesi la pasoja. Pol Pogba u kthye me lëndim nga Liga e Europës dhe Zhoze Murinjo kryqëzon duart duke u lutur që lojtari më i shtrenjtë i tij të jetë gati për sfidën e nesërme në kampionatin anglez.
Francezi u pa duke dalë nga hoteli “Louri” në qendër të Mançesterit, pa pasur nevojë për ndihmë mjekësore (siç e tregon foto), por mbetet një dyshim për ndeshjen në fushën e Suonsit. Murinjo nuk ka dhënë hollësi lidhur me gjendjen e Pogbasë, ndërsa është nën presion të madh pas nisjes së dobët të sezonit nga Mançester Junajtid.
“Djajtë e kuq” nuk do të kenë as partnerin e Pogbasë në mesfushë, Ander Herrerën, që është i dënuar për shkak të kartonit të kuq, dhe besohet se ekziston mundësia që trajneri të kërkojë ndihmën e Bastian Shvajnshtajgerit, që është lejuar të stërvitet me skuadrën, por që nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë edicion.
B. Kuka