Trajneri Starova kishte ndryshuar shumë në vendosjen e skuadrës, por nuk mundi të fitojë në një Gjirokastër shumë entuziaste dhe ky është barazimi i dytë rresht i Partizanit nën drejtimin e tij. Në krahun tjetër, Luftëtari e inaguroi me një ndeshje shumë dinjitoze impiantin e rikonstruktuar, madje në një pjesë të mirë të takimit i ka vënë në vështirësi miqtë nga kryeqyteti. Abazi dhe Bregu nga krahët kanë punuar shumë mirë, por edhe Rexhinaldo në majën e sulmit ka qenë herë pas here një rrezik konstant.
Ndërsa nga krahu tjetër, Ekuban nuk ishte në ditën e tij, ndërsa Torrasa vazhdon të lëvizë shumë, por si gjithnjë e ka mjaft të vështirë ta gjejë portën. Goli i Bregut në fakt erdhi pas një gabimi të të gjithë mbrojtjes së Partizanit që qëndruan pasiv, ndërsa e dhe barazimi i Ibrahimit ishte një gjuajtje-kros, që i gjeti të pavëmendshëm gjirokastritët. Luftëtari vazhdon ta konfirmojë që ka një skuadër mjaftë interesante, ndërsa Starova ndoshta duhet të presë, që futbollistët e tij të mësohen me skemat e reja.
Laçi arrin një fitore shumë të rëndësishme (1-0) ndaj Korabit, në një lloj “derbi” mbijetese. Futbollistët e skuadrës dibrane nuk i përgjigjen më as Poçit, ashtu siç bënë së fundi me Mergjyshin. Madje pas ndeshjes, tekniku i ri rikonfirmoi faktin që klubi ka probleme të brendëshme, ndërkohë që e konsideroi veten si provizor në drejtimin e Korabit. Goli i vendasve u shënua nga Alket Celhaka në të 58’, pas një gabimi fatal të qendërbrojtësit Sheta.