Nëse shikon renditjen e NBA-së këtë sezon dhe e krahason me atë të vjetshmen apo të parvjetshmen, vëren një ndryshim të madh. Duket se ka mjaftuar lëvizja e Lebron Xhejmsit nga Klivlendi për tek Lejkërsat, për t’i dhënë shtysë diçkaje që kishte kohë që nuk ndodhte, një rivaliteti tepër të madh.
Jo vetëm që Klivlend Kavaliersi është bërë skuadra më e dobët e ligës, por edhe Golden Stejti nuk është më dominuesja absolute, siç ngjau në 4 vitet e fundit. Toroton është më e mira me 8 humbje (por, u mund nga Portlendi), Denveri ka 9 humbje, po aq sa Miluoki, pastaj vijnë Golden Stejti, Lejkërsi, Oklahoma, Indiana apo Bostoni me nga 10 humbje, pa harruar ekipet e tjerë që janë shumë afër. Edhe një treshe e madhe si ajo e Golden Stejtit, Kërri-Durant-Tompson, nuk po mjafton për të bërë diferencën.
Në ndeshjet e fundit këta të tre ia dolën që të fitonin, por pasi u mundën më parë nga Toronto. Golden Stejti theu Sakramenton jashtë fushe, 130-125, me Kërrin që shënoi 35 pikë, Durantin 33 dhe Tompsonin 27. Lojtarë të tjerë shkëlqyen këtë mbrëmje. Janis Antetokumpo i Miluokit shënoi 44 pikë (kapi 14 topa në tabela) në fitoren në fushën e Klivlendit, ndërsa Nikola Jokiç shënoi 24 pikë, kapi 15 topa në tabela e shërbeu 9 asistë (thuajse një tripëll dabëll) në suksesin ndaj Oklahomës.
Sfidanti.al