NBA, Filadelfia mund të jetë favorite për titullin me një Embijd të tillë!

Dihej që më parë se ishin të fortë, por po bindin çdo ditë e më shumë. Basketbollistët e Filadelfias janë në prag të kualifikimit për në gjysmëfinalen e Konferencës Lindore, duke mos e diskutuar serinë ndaj Torontos. Pas dy fitoreve në fushën e tyre, yjet nga verilindja e SHBA-së triumfuan 104-101 në Kanada, falë paraqitjes së madhe të Zhoel Embijdit. Basketbollisti qendër shënoi 33 pikë dhe kapi 13 topa në tabela, duke bërë sërish atë që kishte realizuar në ndeshjet e kaluara. Edhe Xhejms Harden ndihmoi shumë me 19 pikë, 6 topa në tabela e 10 asistë, ndërsa Filadelfia kryeson 3-0.

Ndeshja e radhës luhet sërish në Toronto dhe nëse miqtë fitojnë, janë në raundin e dytë të plej ofit. Toronto luftoi fort, sidomos Anuobi me 26 pikë dhe Geri Trent me 24, por Embijd ishte i papërballueshëm. A mund të cilësohet Filadelfia si favorite për titullin në NBA? Nuk është e lehtë ta thuash, pasi ekipi i ish-kryeqytetit amerikan doli vetëm në vend të katërt në sezonin e rregullt dhe Majemi, Bostoni e Miluoki do të kishin favorin e faktorit fushë në rast përballjeje. Gjithsesi, forma e ekipit është shumë e mirë dhe me një Embijd të tillë gjithçka mund të arrihet.

Sfidanti.al