Qazim Laçi “mban flamurin” e Azhasios që shkon drejt Ligës së Parë të Francës

Fati nuk ka qenë me ta, por ndoshta këtë herë do të ndryshojë. Azhasio, e njohur në italisht si Ajaçio, është skuadra e ishullit të Korsikës ku luan edhe futbollisti shqiptar, Qazim Laçi, dhe është pranë rikthimit në Ligën e Parë të Francës. Fitorja e fundit ishte 2-1 ndaj Dynkerkut dhe mesfushori i kombëtares shqiptare ishte ndër protagonistët duke shërbyer asistin për golin e parë shënuar nga Kurte. Laçi jo më kot mban mbi shpinë numrin 10, dhe ka qenë titullar i padiskutueshëm këtë vit për Azhasionë. Ai ka ndihmuar jo vetëm në mesfushë e në lojën në mbrojtje, por ka marrë pjesë aktivisht në fazën sulmuese duke shënuar 3 gola në kampionat, si dhe duke dhënë asistin në ndeshjen e fundit.

Kur duhen edhe 4 javë deri në mbyllje të sezonit, Azhasio është në vendin e dytë në Ligën e Dytë me 67 pikë, 3 pikë mbi vendin e tretë, një pozicion që të kualifikon direkt për më lart. Ekipi i trajnerit Olivie Pantaloni ishte tepër i pafat dy vjet më parë, duke u penguar nga pandemia e koronavirusit për t’u ngjitur në Ligën e Parë, sepse plej ofi u anulua, ndërsa në 2018, u humb finalja e plej ofit. Prova e radhës për t’u ngjitur në elitë është nesër në fushën e Valensienës.

Sfidanti.al