Fitorja ishte e madhe, 110-95 dhe u arrit në fushën e ekipit që kryesonte në Lindje të NBA-së. Bruklin Netsat më në fund po e marrin veten dhe ndonëse nuk janë shumë mirë në renditje, po e tregojnë veten ndaj rivalëve më të fortë. Kevin Duranti nuk ishte në fushë për një kohë tepër të gjatë, vetëm rreth 30 minuta, por ndikimi i tij ishte kryesori. Ish-ylli i Oklahomës dhe Golden Stejtit shënoi 23 pikë, kapi 3 topa në tabela e shërbeu 5 asistë, duke shtuar 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtje. Kajri Irving, i vlerësuar shumë tek Netsat, dha vetëm 11 pikë në 30 minuta, si dhe 4 topa në tabela, 6 asistë e 2 vjedhje topi. Seth Kërri shtoi 17 pikë dhe Andre Dramond ishte autor i 13 pikëve dhe 11 topave në tabela. Përballë Bruklinit, Majemi nuk tregoi nivelin që ka pasur dikur, ndërsa po dështon në ndeshjet e fundit. Xhimi Batler, Adebajo, Louri apo Herro bënë shumë pak. Në renditjen e Konferencës Lindore tani ka dalë në krye Filadelfia, ndjekur nga Majemi, Bostoni dhe Miluoki, ndërsa Bruklini është vetëm në vendin e 8-të.
Sfidanti.al