Kur mposhti Venus Uilliamsin në fushën qendrore të Uimbëlldonit, Garbinë Muguruza, vuri duart në fytyrë, duke mos e besuar atë që sapo kishte ndodhur. Kjo spanjolle me origjinë nga Venezuele, nuk duhej të ndihej aspak e pasigurt në vetvete në momentin më të shkëlqyer të karrierës. Fitoi Uimbëlldonin vetëm një vit pasi fitoi Grand Slemin e parë në karrierë, atë në US Open, dhe në moshën 23-vjerçare ka mundësi të hapë një epokë të re në tenis.
Me Serena Uilliamsin ende të paqartë lidhur me të ardhmen e saj, tani që pret të bëhet nënë, dhe me Venusin tashmë të vjetër dhe të konsumuar, Garbina mund të tejkalojë emrat e tjerë si Anzhelikë Kerberin, Karolinë Voznjackin, Anjezhka Radvanskën, Simona Halepin apo ndoshta edhe të rikthyerën Maria Sharapova, për t’u bërë “flamurmbajtësja” e këtij sporti. Muguruza u bë e para teniste që fiton dy Grand Sleme të ndryshëm në epokën e motrave Uilliams.
Ndërsa ajo kërcente me Rozher Federerin, kampionin e meshkujve, në mbrëmjen Gala të Uimbëlldonit, specialistët e tenisit kujtonin mënyrën sesi ajo e mposhti legjendaren Venus Uilliams, që i ndjeu të 37 vitet e moshës, sëmundjen e saj të përhershme dhe mungesën e motrës Serenë. Fitorja ishte 7-5 e 6-0, e denjë për një kampione të madhe.
Sfidanti.al