Mos vallë e keni harruar? Kërri shënon 62 pikë për Golden Stejtin!

Nuk janë më kohët e “dinastisë”, pra të skuadrës që fitoi tre tituj në 4 vjet, dhe që arriti pesë finale radhazi në NBA, por gjithsesi një pjesë e asaj magjie është ende në parket. Me Kevin Durantin të larguar dhe me Klej Tompsonin të dëmtuar, Stefën Kërrit i duhet të marrë skuadrën mbi shpatulla për ta çuar tek suksesi, diçka që ndodhi në mënyrë të jashtëzakonshme mbrëmjen e fundit. Golden Stejti u përball me Portlendin, pasi kishte humbur me 25 pikë diferencë në ndeshjen e kaluar, dhe Kërri nuk lejoi që kjo të përsëritej duke arritur rekordin e pikëve në karrierë, 62, tetë më shumë sesa kulmi i mëparshëm.

Është edhe shifra më e lartë e sezonit nga një basketbollist, ndërsa pati edhe 5 topa në tabela e 4 asistë. E gjitha kjo në vetëm 36 minuta e 26 sekonda. Kërri realizoi 18 nga 31 gjuajtjet nga loja, dhe 8 nga 16 tripikësha. Ai shënoi 18 nga 19 gjuajtje të lira, duke ndërprerë serinë prej 80 gjuajtjesh të lira realizuara radhazi, një rekord për Golden Stejtin. Në moshën 32-vjeçare ai është ende një lojtar i rëndësishëm i NBA-së, ndërsa këtë sezon ka 32.3 pikë për ndeshje, 4.7 topa në tabela për ndeshje dhe 6.2 asistë për ndeshje. Golden Stejti ka 3 fitore e 3 humbje deri tani, duke qenë në vendin e gjashtë në Perëndim.

Sfidanti.al