“Mjekra” Harden ndihmon Hjustonin kryesues, në çastin më të keq

Hjuston Rokits është skuadra më e mirë e NBA-së këtë vit, por edhe ajo ka momente të vështira. Një i tillë i ndodhi në përballjen e fundit në fushën e Juta Xhazit, kur skuadra vendase ia bëri jetën të vështirë pretendentëve për titull. Jo më kot, Hjustoni që kishte arritur 12 fitore radhazi, shkonte në Arenën e ekipit që kishte fituar 12 nga 13 ndeshjet e fundit.

Suksesi ishte sërish i kryesuesve të Perëndimit, me shifrat 96-85, fitorja e katërt e tyre ndaj Jutës në 4 ndeshje, duke realizuar një “fshesë” (sweep). Sidoqoftë, Hjustoni pati nevojë për yllin e saj kryesor, Xhejms Hardenin. Ai shënoi 26 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë, ndërsa Kris Pol luajti po ashtu një ndeshje shumë të mirë. Harden besohet se është kandidati kryesor për t’u shpallur Lojtari më i mirë i Sezonit në NBA këtë vit.

Juta u mbështet tek loja kolektive, me Rudi Gobertin (17 pikë), Donovan Miçëllin (16), Riki Rubion (14) e Xho Krauderin (12) që mbajtën peshën kryesore.

Sfidanti.al