Miluoki në finalen e NBA-së, por a shërohet Antetokumbo për Feniksin?!

Me siguri duhet ta kenë kthyer ndonjë gotë birrë tipike gjermane. Basketbollistët e Miluokit dhe tifozët e tyre padyshim do ta kenë festuar në mënyrë tipike kualifikimin për në finalen e madhe të NBA-së, sipas traditës së influencuar nga emigrantët e shumtë nga Gjermania. Suksesi ishte i veçantë pasi u arrit në fushën e Atlantës dhe në mungesë të yllit kryesor, Janis Antetokumbo. E dyta herë radhazi që gjigandi greko-afrikan nuk luan për shkak dëmtimi, dhe e dyta herë radhazi që Miluoki fiton, këtë herë me shifrat 118-107 që dhanë kualifikimin me shifrat e fitoreve 4-2.

Nuk është vetëm Danimarka që luan në Kampionatin Europian të futbollit për yllin e saj të sëmurë, luajnë edhe Baksat për kapitenin e tyre, dhe duket se një mungesë kaq e madhe mund të kthehet edhe në faktor pozitiv. Kris Midëlton dhe Xhru Holidei ishin udhëheqës në një duel që pritej i vështirë, por të cilin e dominuan nga fillimi deri në fund. Midëltoni shënoi 32 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe bëri 3 vjedhje topi. Holide shtoi 27 pikë, 9 topa në tabela, 9 asistë, 4 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, në një paraqitje të shkëlqyer. Nuk mbeti prapa qendra Bruk Lopez me 13 pikë, 6 topa në tabela e lojë të fortë në mbrojtje, si dhe Bobi Portis me 12 pikë e 9 topa në tabela.

Miluoki pati kontribut të madh edhe nga lojtarët e stolit, ndërsa ishte në avantazh vazhdimisht me mbi 10 pikë epërsi. Atlanta ishte më e plotë, por më pak e vendosur. Ylli kryesor Trej Jang shënoi vetëm 14 pikë, Bogdanoviç 20 dhe Kapela 14, por duket se vendasit nuk e patën mentalitetin fitues të kundërshtarit. Miluoki ka dy vjet radhazi që dështon në NBA, këtë sezon dëshiron të fitojë patjetër titullin. Shpresohet shumë që Antetokumbo të kthehet në nisjen e finaleve ndaj Feniksit të mërkurën herët në mëngjes sipas orës shqiptare.

Sfidanti.al