Shpenzimet e Bundesligës? Klubet gjermane japin vetëm “thërrime” për yjet!

Imagjinoni kur i madhi Bajern i Mynihut mezi është kandisur deri tani që të nxjerrë nga xhepi 42.5 milionë euro për të marrë mbrojtësin Upamekano nga Lajpcigu. Nuk dihet se çdo të bëjë deri në fund të gushtit, por “bathët” janë që politika e kursimit të vazhdojë. Klubet e tjerë të Bundesligës janë edhe më “cingunë” sesa bavarezët, ndoshta me përjashtim të Lajpcigut që ka më shumë para dhe është i detyruar të shpenzojë. Klubi i Lindjes ka paguar gjithsej 51 milionë euro: Simakan nga Strasburgu për 12 milionë euro, Gvardiol nga Dinamo e Zagrebit për 16 milionë euro, Andre Silva nga Franfkurti për 23 milionë euro.

Herta e Berlinit ka nxjerrë nga arka 7 milionë për Serdarin e Shalkes, Këlni ka paguar ZERO euro për 4 blerje, Bohumi po ashtu, Grojter Fyrti ka bërë transferime me parametër zero, gjithashtu edhe Mainci. Volfsburgu ka dhënë 4.5 milionë për Vrankun e Meshelenit, Shtutgarti 5 milionë euro për Florian Mylerin nga Mainci, Gladbah, 9 milionë euro për Kuadio Kone nga Tuluza.

Dortmundi ka shpenzuar 15 milionë euro për portierin Kobel nga Shtugarti, Bilefeldi ka shpenzuar 1 milionë euro, Union Berlin merr 10 lojtarë për vetëm 1 milionë euro, Augsburgu harxhon vetëm 200 000 euro, ndërsa Hofenhajm e Frankfurti nuk kanë bërë asnjë shpenzim. Në total, deri tani 18 klubet e Bundesligës kanë paguar 136 milionë euro, një shifër që është më pak sesa mund të paguhen për Harri Kejnin apo Erling Halandin.