Rej Manaj më në fund bëhet “burrë, në Spanjë, Itali e Gjermani nisin ta duan!

Më mirë vonë se kurrë, e duket se koha ka ardhur. Rej Manaj e ka pranuar vetë se ka gabuar në nisje të karrierës edhe për shkak të tekave të adoleshencës, por tani gjithçka është ndryshe dhe ai është i kërkuar. Sulmuesi i kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Barcelona B, ndërsa klubi katalanas ka nevojë të forcojë sa më shumë që të jetë e mundur gjendjen e tij financiare.

Shumë e interesuar për të është Kremoneze, klubi i Serisë B italiane ku Manaj hodhi hapat e parë si futbollist. Nuk jepet shifër konkrete e investimit për kartonin e tij, por vlerësohet se sulmuesi ka kaluar një sezon të shkëlqyer me Barcelonën B, me 14 gola në 22 ndeshje, ndërsa në moshën 24-vjeçare duket se ka arritur pjekurinë e duhur. Në Itali, lojtarin kuqezi e pëlqen edhe Bresha, por duket se Kremoneze është në pozicion më të favorshëm.

Gjithsesi, Manaj mund të mbetet edhe në Spanjë, ku luan prej vitesh dhe është përshtatur. Ai pëlqehet nga Albasete, ku ka qenë përpara sesa të kalonte tek Barça B, ndërsa mediat katalanase shkruajnë se edhe klube të tjerë të kategorisë së dytë spanjolle kanë bërë oferta. Jo vetëm kaq, por ka admirues edhe në Gjermani. Barcelona e mori për 2.7 milionë euro në janar 2020, ndërsa tani shpreson që ta transferojë për një shifër mjaft më të madhe. E ndihmon fakti se Manaj ka shënuar 14 gola në 22 ndeshje me ekipin B, duke qenë lojtari më i mirë i ekipit e duke realizuar edhe rrjetën më të bukur të sezonit.

Sfidanti.al