Mik Shumaher: Një fitore për emrin tim, nuk doja të isha në hijen e babait!

Një mbiemër i tillë bëri historinë. Shumaheri me emrin Mikael ishte një nga yjet më të shkëlqyer të Formula 1, me gjasë më i miri pilot i të gjitha kohëve me 7 titujt e tij botërorë, por në 2006 ai lajmëroi lamtumirën, dhe u desh të pritej 15 vjet për të parë një tjetër. Nuk dihet nëse do të bëhet legjendë apo jo, por Formulës 1 i vjen vitin tjetër një Shumaher i tretë, pikërisht djali i Mikaelit, që e festoi këtë gjë me një titull botëror.

Për të mos mbërritur duarbosh në elitën e automobilizmit, Mik Shumaheri u shpall kampion në Formula 2, një konfirmim se ai mund të bëhet dikushi. Me dy fitore dhe 10 podiume, Shumi i ri 21-vjeçar sfidoi një konkurrencë të ashpër dhe ia doli me makinën e tij italiane, Prema Rejsing, që ka lidhje të forta me Ferrarin. Sezonin e ardhshëm, ai do të jetë pjesë e Formula 1.

“Më vjen keq që mezi po gjej fjalët për të folur, e kam të vështirë, -tha gjermani 21-vjeçar, – do të më duhet disa kohë për t’u mësuar me këtë ndjenjë, por padyshim është një ndeshje e shkëlqyer. Unë doja që të fitoja diçka si Mik, që të mos isha nën hijen e babait. Doja të kisha diçka në karrierë përpara sesa të kalojë në Formula 1. Fitova Formulën 3 Europiane, dhe tani Formulën 2. Ishte një sfidë e madhe për mua, nuk ishte e lehtë. Sa më e fortë konkurrenca aq më shumë forcohesh si pilot, dhe kjo do të më shërbejë në Formula 1”.

Mik Shumaheri do të jetë pjesë e skuadrës Has në Botërorin e 2021-it, dhe debutimi i tij do të jetë në moshë më të re sesa babai i tij, që garoi 22-vjeçar. Gjithsesi, ëndrra e tij do të jetë që të garojë me makinën e famshmë me të cilën Shumi fitoi 5 nga7 titujt botërorë, pra me Ferrarin, me të cilin i ka bërë disa prova.

Sfidanti.al