Los Anxheles Lejkërs patën një mbrëmje krejtësisht për t’u harruar ditën e martë teksa e panë veten të humbasin presidentin Mexhik Xhonson e më pas ndeshjen me Portland Treilblejzërs që për më tepër ishte edhe e fundit e kësaj skuadre për sezonin e rregullt.
Mexhik Xhonson dha dorëheqjen nga posti i tij vetëm 90 minuta para fillimit të kësaj sfide që përfundoi me rezultatin 104-101 për Portland Treilblejzërs.
‘Vendosa të jap dorëheqjen si president i Los Anxheles Lejkërs-deklaroi Mexhik Xhonson-argëtohesha më shumë kur isha në anën tjetër, kur isha ambasador, kur isha vëllai i madh. E dua lirinë time, kam një jetë të mrekullueshme jashtë basketbollit dhe jam shumë i lumtur që do t’i kthehem kësaj jete’.
59 vjecari Mexhik Xhonson e mori presidencën e Los Anxheles Lejkërs në 2017 pasi drejtuesit ekzekutivë të skuadrës dhe bashkëpronari Xhini Bas e bindën për të ndërmarrë një hap të tillë. Përsa u përket rezultateve, edhe këtë vit Los Anxheles Lejkërs dështoi në tentivën e saj për t’u kualifikuar në fazën e playoffit në NBA duke e mbyllur sezonin e rregullt me 37 fitore dhe 45 humbje.
sfidanti.al