Ljuis Hamilton i kundërpërgjigjet Valteri Botas dhe fiton Cmimin e Madh të Spanjës duke siguruar në të njëjtën kohë edhe fitoren e tretë sezonale. Piloti britanik arriti të fitojë këtë garë në pistën e Barcelonës sipas mënyrës së tij, duke bërë një start fantastik të garës për të lënë pas shokun e tij të skuadrës te Mercedes edhe pse Botas ishte në pole position.
Pas marrjes së kryesimit, Hamilton shumë shpejt vendosi një ritëm të pakapshëm nga asnjë prej pilotëve të tjerë duke kaluar i pari vijën e finishit në përfundim të garës. Valteri Botas këtë radhë u detyrua të shohë nga pas Hamiltonin dhe të kënaqej me vendin e dytë, duke bërë që Mercedes të regjistrojë dopietën e 5 radhazi në këtë sezon dhe duke konfirmuar se këtë vit cështja e titullit do të diskutohet pikërisht mes dy pilotëve të skuderisë gjermane.
Podiumin e garës në pistën e Montmelosë në Barcelonë e plotësoi holandezi Maks Vershtapen me Red Bullin e tij. Për Ferrarin, Cmimi i madh i Spanjës është krejtësisht për t’u harruar pasi të dy pilotët e Kokëkuqes italiane mbetën jashtë podiumit me Fetel që u rendit në vendin e katërt dhe Lëklerk në të pestin.
Pas kësaj gare, është Hamilton që merr kryesimin në renditjen e përgjithshme për pilotë me 7 pikë më shumë se Botas, ndërkohë që Fetel është 48 pikë larg e Lëklerk 55. Përsa i përket konstruktorëve, diferenca mes Mercedes dhe Ferrarit pas 5 garave të para të këtij sezoni ka shkuar në 99 pikë.
sfidanti.al