Shpejt do të arrijë në shifrën 100 për këtë kombinim në basketbollin amerikan. Lebron Xhejmsi ka tani 97 tripëll dabëlla në karrierë, dhe po vazhdon t’i realizojë pavarësisht se mosha po i kapërcen edhe 36 vitet. Ylli i Lejkërsave ishte sërish një garanci për skuadrën e tij, duke mbajtur mbi supe të gjithë barrën në mungesë të Entoni Dejvisit. Falë tij u fitua ndeshja ndaj Oklahomës me shifrat 119-112, edhe pse pas kohës shtesë, dhe “Mbreti” i basketbollit shënoi 28 pikë, kapi 14 topa në tabela e shërbeu 12 asistë. Përveç këtyre pati 2 vjedhje topi, 2 bllokime gjuajtjesh, por edhe 5 topa në të humbur. Ndoshta kjo ishte një nga arsyet që atij iu dha vetëm vlerësimi me notën 8, jo shumë e lartë, ndërsa arsye tjetër ishte gabimi i shpeshtë në gjuajtjet për tri pikë!
Në të njëjtën mbrëmje, pati sukses nga disa prej yjeve të tjerë, ndonëse jo në shifrat e Lebronit. Janis Antetokumbo shënoi 30 pikë e kapi 9 topa në tabela në fitoren e Miluokit në fushën e Denverit, 125-112. Ai u ndihmua nga Kris Midëllton me 29 pikë e 12 asistë, ndërsa Nikola Jokiç luajti një tjetër ndeshje shumë të mirë për vendasit, edhe pse pa dobi. Serbi shënoi 35 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Luka Donçiç, ndërkaq shënoi 26 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 5 asistë në fitoren e Dallasit ndaj Minesotës (127-122), ndonëse e humbi 7 herë topin. Në renditjen e NBA-së, Juta Xhaz kryeson në Perëndim dhe Filadelfia në Lindje.
Sfidanti.al