Ka një maksimë në futboll që thotë “luaj mirë, nëse e bën rezultatet vijnë vetë”. Ndoshta shpesh që këtu ka një keqkuptim, që ka lidhje me bukurinë e lojës, me sulmin, por mund të ndodhë që të bësh dy gabime dhe të humbasësh gjithçka. Diçka të tillë e bëri Interi në gjysmëfinalen me dy ndeshje ndaj Juventusit në Kupën e Italisë. Nëse sheh 180 minutat, plus kohët shtesë, duke hequr golat, nxjerr përfundimin e zikaltërit e Kontes kanë qenë më të fortët, më kërkuesit, më sulmuesit dhe me lojën më të rrjedhshme.
Gjithsesi, në përfundim pati 3 gola, dhe dy prej tyre i shënoi Kristiano Ronaldo, pra Juventusi. Për më keq, të dy golat ishin dhuratë sidomos i dyti që iu fal portugezit “në tepsi”. Tjetri erdhi pas një penalltie. Mori fund kështu aventura interiste në Kupën e Italisë edhe për këtë vit, pa arritur të prekë trofeun. Çfarë mund të thuhet për një ekip që është eleminuar edhe nga Championsi, madje nga Europa, dhe që ndodhet në vendin e dytë në Serinë A, dy pikë pas Milanit? Kritikat do të ishin shumë të natyrshme, dhe për Konten ka pasur edhe presion nga “brenda”, pra nga drejtuesit si Morata e presidenti Çang,
Trajneri e ka gati përgjigjen. “Ne po rritemi, – thotë ai, – diferenca me Juven ka qenë e madhe dhe ne e kemi ngushtuar shumë, edhe pse nuk e kemi bërë zero. Në të tria ndeshjet ndaj tyre kemi qenë superiorë, tani duhet të mësojmë që të mos bëjmë gabime. Kur të ndodhë kjo, do të fitojmë trofetë”. Konte ka të drejtë, maksima që “loja e bukur sjell fitoren” është e vërtetë, por përfshin edhe sigurinë në mbrojtje. Barazimi 0-0 në Torino ishte heroik për milanezët, por vendosi humbja 1-2 para një jave në “San Siro”.
Sfidanti.al