Në sezonin e basketbollit amerikan luajti 103 ndeshje, plot 3 171 minuta, derisa fitoi titullin me Toronton, pra pas një rraskapitjeje të vërtetë. Ndryshe nuk mund të fitoheshin “unazat”, por për Mark Gasolin menjëherë më pas erdhi “thirrja për ushtar”, pra për t’u paraqitur në detyrë për Spanjën në Botëror. Ndryshe nga shumica e yjeve të NBA-së, që refuzuan kombëtaren e tyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjigandi spanjoll u përgjigj menjëherë dhe u paraqit nën urdhërat e trajnerit Serxho Skariolo.
Në përfundim të gjysmëfinales ndaj Australisë, mediat spanjolle nuk e përmbajtën dot veten duke e lavdëruar pa fund vëllanë e vogël të Pau Gasolit, dhe gjithçka ishte e merituar. Marku shënoi 33 pikë dhe kapi 16 topa në tabela, duke dhënë edhe 7 asistë. Kaq pikë janë rekord për Spanjën në një ndeshje të Botërorit, ndërsa Gasol ka edhe një sfidë të mbetur për të fituar titullin. Gjithsej, janë 115 ndeshje në një sezon të jashtëzakonshëm që mund të përfundojë me dy tituj.
Sfidanti.al