Konte “ftoh” euforinë: Interi është i fortë, por ka ndryshuar shumë!

Një titull zikaltër po parashikohet gjithnjë e më shumë në Itali, ndonëse Juventusi mbetet natyrshëm favorit. Merita që Interi vlerësohet kaq lart është e trajnerit Antonio Konte (si dhe e Bepe Marotës që e solli në Milano), por vetë trajneri nuk dëshiron të krijojë më shumë presion sesa duhet. A është ky Inter për titull sipas teknikut të tij?

“Unë i kam idetë të qarta dhe skuadra ka lojtarë shumë të mirë, – tha ai, – nuk duam që të kufizojmë ambiciet tona, luajmë për maksimumin, por le t’i marrim ndeshjet njërën pas tjetrës. Sfida e jetës për momentin është ajo ndaj Udinezes, të tjerat nuk llogariten, as Championsi”. “Ka shumë entuziazëm përreth Interit, – vazhdoi Konte, – kjo është gjë e mirë, sepse tifozët kuptojnë se po ndërtojmë diçka të rëndësishme, veçse nuk duhet të harrojmë se ne kemi bërë më shumë ndryshime se të tjerët”. Kjo do të thotë, qartësisht, se Antonio Konte kërkon kohë.

Sfidanti.al