Ai nuk ishte titullar dhe nuk ishte parashikuar të luante ndonjë rol shumë të madh. Gjithsesi, ndodh ndonjëherë që njeriu frymëzohet e transformohet dhe kështu i ngjau Tajlër Herros, basketbollistit të Majemit që ishte vendimtar në fitoren e skuadrës së tij ndaj Boston Sëlltiksit. Ekipi nga Florida është vetëm 1 hap larg finales së madhe të NBA-së, dhe Herro erdhi nga stoli për të shënuar 37 pikë në suksesin 112-109. Siç e tregojnë shifrat, sfida ishte tepër e fortë dhe Majemi shfrytëzoi ndoshta përvojën më të madhe të yjeve kryesorë si Batler apo Dragiç, por edhe frymëzimin e Herros e të Bam Adebajos. Herro pati edhe 6 topa në tabela e 3 asistë, Batler ishte me 24 pikë, 9 topa në tabela e 3 asistë, Goran Dragiç realizoi 22 pikë (5 tabela, 3 asistë, 2 vjedhje topi), dhe Adebajo shënoi 20 pikë e kapi 12 topa në tabela. Edhe Bostoni luajti shumë mirë, por përvoja e tij ishte më e vogël. Xhejzën Tatëm shënoi 28 pikë, Kemba Uolker 20, Xhejlën Braun pati 21 pikë e 9 topa në tabela, ndërsa Markus Smart 10 pikë e 11 asistë.
Sfidanti.al