Luiza Gega në histori, shpreson për medalje në Botërorin e atletikës!

Diçka historike ngjau në Lindjen e Mesme. Në stadiumin e shkëlqyer “Halifa” të Katarit, një atlete shqiptare u kualifikua për herë të parë në finalen e një gare të kampionatit botëror. Ishte pikërisht ajo që pritej, Luiza Gega, që realizoi objektivin e saj të parë në turneun e madh që po zhvillohet në kryeqytetin e Katarit, Doha. Edhe pse u kursye dhe nuk dha maksimumin, sërish u fut mes 15 konkurrueseve më të mira në garën e 3 000 metra me pengesa, ndërsa 43 gjithsej që morën pjesë në gjysmëfinale.

Koha e Gegës ishte 9’28”32, e mjaftueshme madje për të qenë mes 10 më të shpejtave. Më e mira në eleminatore ishte atletja nga Kenia, Beatris Çepkoeç me 9’18”01. Nuk dihet nëse shqiptarja 30-vjeçare do të jetë në gjendje të luftojë për medalje në finale, ndërsa rekordi i saj personal dhe rekordi i Shqipërisë në 3 000 metra me pengesa është 8’53”78 vendosur tre vjet më parë. Kjo kohë është 9 sekonda poshtë rekordit botëror që mbahet po nga keniania Çepkoeç.

Gega ka përvojë ndërkombëtare, pasi ka fituar medalje të artë e të argjendtë në Lojërat Mesdhetare, medalje argjenti në Europian dhe medalje bronzi në Universiadën e Verës. Finalja e 3 000 metrave me pengesa është në program të hënën e 30 shtatorit.

Sfidanti.al