Liverpuli i shëmtuar tregon sesi fitohet titulli, çfarë fati për rekordin e kryesimit!

Duhet të jesh shumë i fortë për të kaluar ndeshje të tilla. Liverpuli tregoi thjesht karakterin dhe ambicien e jashtëzakonshme për të fituar titullin, dhe aspak futbollin e tij spektakolar, por ia doli në stadiumin e Shefild Junajtidit. Ishte një nga ata duele të Premier Ligës që nisin e përfundojnë keq, por skuadra që ia del mbanë mund të quhet nga më të fortat në një garë të tillë.

Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop ishin padyshim hija e vetvetes, pa frymëzim e pa harmoni, dhe as nuk meritonin të fitonin, duke mos krijuar aspak raste për gol. Në të kundërt, Shefild Junajtidi, një skuadër me histori të gjatë, u përpoq të përfitonte dhe iu afrua avantazhit disa herë. Gjithsesi, ky Liverpul ka sot diçka që nuk e ka pasur në të kaluarën, një mbrojtje thuajse të hekurt. Edhe në mungesë të portierit më të mirë të botës për vitin e kaluar, Alisonit, të kuqtë e mbajtën të paprekur portën e tyre.

Fitorja ishte me shumë fat, pasi erdhi nga një gabim i portierit vendas, Henderson, tepër i dëshpëruar sepse shkoi kot përpjekjet e shokëve të skuadrës. Goli i holandezit Vajnaldum i dha tri pikë të arta formacionit të Klopit, që arriti fitoren e 7-të në 7 ndeshje të deritanishme në Premier Ligë, duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve. Titujt kampion fitohen kur triumfon pikërisht në ndeshje të tilla, veçse Liverpuli duhet ta jetë i ndërgjegjshëm se fatin nuk do ta ketë gjithnjë

Sfidanti.al