Lejkërsat shijojnë fitoren e parë në shtëpi në plej of që nga 2012-ta!

Kanë kaluar 8 vjet që kur u luajt për herë të fundit në “Stejpëll Sentër” një ndeshje e kësaj faze, dhe 9 vjet që nga fitorja e fundit. Los Anxhelos Lejkërsat mund të jenë 17 herë kampionë të NBA-së, po aq të mëdhenj sa rekordmenët Boston Sëlltiks, veçse historia e dekadës së fundit nuk ka qenë aspak e lavdishme. Që nga largimi i Kobi Brajantit dhe përpara tij i Shakill O’Nillit, “Liqenasit” kanë qenë në krizë, ndërsa titulli i fituar vjet ndodhi në Arenën neutrale në Floridë për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Këtë herë ishin 7 000 tifozë me maska në Arenë, jo kapaciteti i saj maksimal, por gjithsesi një prani shumë e rëndësishme dhe Lebron Xhejmsi me shokë ia dolën që të fitonin ndaj Feniksit. Pas një fillim të ngadalshëm të ndeshjes, vendasit shënuan 66 pikë në pjesën e dytë duke fituar 109-95. Lebroni pati 21 pikë, ndërsa shtoi 6 topa në tabela, 9 asistë e 1 vjedhje topi (por, edhe 7 humbje topi), ndërsa shënuesi më i mirë ishte Entoni Dejvis me 34 pikë e 11 topa në tabela. Lejkërsat dominuan në tabela, pasi Dramond kapi 11 topa të tjerë e Kajl Kuzma shtoi 10. Kalifornianët kryesojnë 2-1 në raundin e parë të plej ofit, ndërsa ndeshja e katërt luhet gjithashtu në “Stejpëll Sentër”.

Sfidanti.al