Lebroni shkëlqen në fushë, por tërbohet nga tifozë të Indianës

Si ndeshje nuk pati të sharë, ndonëse faqja zyrtare e NBA-së i dha vetëm notën -3. Lebron Xhejmsi u kthye nga pezullimi duke shënuar 39 pikë për Los Anxhelos Lejkërsat në fushën e Indianës, e duke qenë merituesi kryesor në fitoren e vështirë pas kohës shtesë, 124-116. Ai ishte në fushë për 43 minuta, pati saktësi të mirë në gjuajtje, kapi 5 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, si dhe vodhi një top e bllokoi dy gjuajtje. Në një mbrëmje ku shkëlqyen ekipet kryesorë të NBA-së si Golden Stejti, Feniksi, Bruklini apo Miluoki, edhe Xhejmsi bëri detyrën, duke reaguar pas përjashtimit në ndeshjen me Detroitin, si dhe pas disa komenteve se “ai tashmë nuk është lojtari më i mirë i Lejkërsave”. Gjithsesi, “Java e Falenderimeve” për Lebronin nuk shkoi sërish mirë sepse ai u acarua pranë fundit të ndeshjes. Legjenda e basketbollit akuzoi se dy tifozë të rinj po e ofendonin, ndërsa ishin në rreshtin pranë fushës. Me insistimin e tij, të dy tifozët (një djalë dhe një  vajzë) u larguan nga Arena, ndërsa ata e morën me të qeshur e duke tallur Xhejmsin me mimikën e tyre. Nuk dihet se çfarë kanë thënë, por Lebroni këmbënguli se e ofenduan disa herë. “Ata e kapërcyen cakun”, – tha ai.

Sfidanti.al