Lebroni “merr flakë” ndaj San Antonios, edhe pse është 35-vjeçar!

Bëri një premtim, ndërsa nderoi kujtimin e legjendës që nuk është më. Lebron Xhejmsi deklaroi së brendshmi, por edhe publikisht se do të vazhdonte misionin e tij, në emër edhe të Kobi Brajantit, kjo vetëm dy ditë pasi ylli kishte humbur jetën në aksident, dhe tri ditë pasi e kishte kaluar atë në renditjen e shënuesve më të mirë të NBA-së.

Në moshën 35-vjeçare, gjigandi i basketbollit nuk ka të ndalur, madje është në gjendje të krijojë momemte si ai i pjesës së katërt të ndeshjes Lejkërs-San Antonio, kur në vetëm tri minuta shënoi 5 kosha tripikësh radhazi. Kalifornianët fituan 129-102, dhe Xhejmsi e përfundoi duelin me 36 pikë, 7 topa në tabela e 9 asistë. Lejkërsat kishin qenë në epërsi të madhe, por San Antonio ishte afruar në fund të pjesës së tretë.

Përveç shkëlqimit të Lebronit, Lejkërsat dominuan në tabela, duke kapur 58 topa aty, ndaj vetëm 28 të San Antonios që nuk e ka shtatlartësinë dhe fuqinë fizike të tyre. Entoni Dejvis pati 18 pikë e 5 topa në tabela, Kuzma 18 pikë e 12 topa në tabela, Deni Grin 7 topa, dhe po ashtu shumë topa në tabela kapën Mekgi, Kalduell-Poup e Bredli. Kalifornianët kryesojnë Konferencën Perëndimore me 38 fitore e 11 humbje.

Sfidanti.al