Rashica është tmerri i Dortmundit, me dy gola dhe dy eleminime nga Kupa!

Ia ka marrë dorën kësaj skuadre. Borusia e Dortmundit mund të jetë një kundërshtar i frikshëm për këdo në Gjermani, ndoshta me përjashtim të Bajernit, por një tjetër përjashtim duhet bërë për një shqiptar të Kosovës. Milot Rashica, në të kundërt, e tregoi veten si tmerrin e Dortmundit, duke shënuar sërish në portën e saj, e duke qenë protagonist në kualifikimin e Verderit në Kupën e Gjermanisë.

Këtë herë u luajt në “Vesershtadion” të Bremenit, pranë brigjeve të Detit Baltik në Veri të Gjermanisë, dhe skuadra favorite u eleminua papritur, ndonëse e kishte në fushë fenomenin Erling Haland. Adoleshenti më i shquar i botës e shënoi golin e tij, por në fund qeshi Rashica, bashkë me shokët e tij. E tillë është Kupa e Gjermanisë, me emocione të ngjashme me Kupën e Anglisë, ku ekipi i vendit të tretë nga fundi, mund ekipin e tretë në renditje dhe që pretendon titullin.

Tabloidi “Bild” e kishte si shqetësim përpara duelit faktin se Rashica kishte 5 ndeshje që nuk shënonte për Verderin, dhe ky ishte një problem, pasi ai ishte lojtari më i mirë i ekipit këtë sezon. Përgjigja erdhi shpejt dhe siç duhet. “Tmerr i blertë për Borusian, – titulloi “Bild” pas suksesit të ekipit nga Bremeni, – sërish dhe sërish Verderi. Para 364 ditëve, Dortmundi u eleminua nga Kupa pas penalltive, ndaj bardhëjeshilëve, po ashtu Verderi ia hoqi shpresat për titull vjet pas barazimit 2-2”.

Thuajse ekzaktësisht një vit më parë, Verderi shkaktoi të papriturën brenda në “Signal Iduna Park”, dhe Rashica shënoi përsëri duke ngrirë të ashtuquajturin, “Murin e Verdhë” të tifozëve vendas, më të shquarit në Europë. Falë edhe golit të lojtarit të përfaqësueses së Kosovës, Bremeni e eleminoi Dortmundin nga Kupa, edhe në atë rast, pas gjuajtjes së penalltive. Në një sezon shumë të mirë, 23-vjeçari nga Vushtrria ka shënuar në total 10 gola, dhe ka shërbyer 4 asistë në 19 ndeshje të luajtura, duke qenë më i miri i ekipit të tij.

Sfidanti.al