A do të shuhet ndonjëherë “lufta civile” tek Barcelona?!

Vështirë që të ndodhë, ndërsa çdo hap që ndërmerret në klub duket sikur është i gabuar. Një konflikt i ashpër mes kapitenit Lionel Mesi dhe sekretarit teknik të Barcelonës, Erik Abidal, rrezikon të shkatërrojë edhe më keq sezonin e katalanasve. Ky i fundit kishte deklaruar në një intervistë se një nga arsyet e largimit të Valverdes ishte dhe pakënaqësia e disa lojtarëve që nuk stërviteshin mirë. Kur thuhet kjo, mendja zakonisht shkon tek Mesi, dhe argjentinasi nuk priti aspak për t’u përgjigjur.

Ai reagoi në rrjetet sociale duke shkruar se “nuk më pëlqen të hyj në këto argumente, por mendoj se gjithkush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”. Shpesh, mediat kishin paralajmëruar shkarkimin e ish-trajnerit Valverde, dhe e kishin quajtur të natyrshëm, por tani duket sikur ishte gabimi më i madh në botë. Kjo, sepse në “Kamp Nou” nuk mbërriti asnjë emër i madh i trajningut, ndërsa Kike Setien nuk të ngjall besim. Po ashtu, u mendua se skuadra do të përforcohej në janar, por kjo nuk ndodhi, ndërsa dëmtimi i Suarezit dhe Dembelesë prishi edhe më shumë punë. Siç thekson “Marka”, mungesa e kapitenëve të ekipit të futbollit, në konferencën e legjendës së hendbollit, Viktor Tomas (që do të tërhiqet në fund të sezonit) tregon qartë se diçka nuk shkon.

Sfidanti.al