Në Arenën e Klivlendit pati një zhurmë mosaprovimi nga publiku kur ylli i Golden Stejtit u shpall Lojtari më i mirë i Ndeshjes së Yjeve, por ishte logjike që të ndodhte ashtu. Edhe pse tifozët deshën që të fitonte “djali i shtëpisë” Lebron Xhejms, ia doli Stefën Kërri që mori 11 vota nga 12 gjithsej, dhe një votë e mori Lebroni. Meqë ra fjala, edhe Kërri është djalë shtëpie në Ohajo, sepse ka lindur në të njëjtin qytet si Xhejmsi, në Akron.
Gjuajtësi më i mirë i të gjitha kohëve në NBA theu rekordin e koshave tripikësh në Ndeshjen e Yjeve, nga 12 në 16, dhe theu rekordin në periudhën e parë (6), në pushim (8) dhe padyshim në total. Ai shënoi 50 pikë, duke mbetur vetëm 2 pikë prapa rekordit të Entoni Dejvisit në këtë ndeshje. Kërri ishte pjesë e Skuadrës “Lebron” e cila fitoi 163-160 ndaj Skuadrës “Durant”, ndonëse Kevin Duranti nuk luajti për shkak dëmtimi. Tek fituesit ishin edhe Janis Adetokumbo (30 pikë) apo Nikola Jokiç, ndërsa ndeshja ishte më shumë një shfaqje sesa një konkurrim i vërtetë basketbolli.
Sfidanti.al