Lebroni fiton duelin me Antetokumbon, një sfidë që mund të vendosë titullin!

Ishte vërtet një përballje gjigandësh. Dy skuadrat më të mira të NBA-së u ndeshen në “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos, dhe ylli vendas, Lebron Xhejms, e fitoi duelin ndaj yllit mik, Janis Antetokumbo. Sfida ishte si një duel i parakohshëm për titull në finalen e madhe të basketbollit amerikan në qershor dhe kalifornianët triumfuan me shifrat 113-103.

Lebroni shënoi 37 pikë, duke qenë më i miri i ndeshjes, duke iu afruar një tripëll dabëll me 8 topa në tabela, 8 asistë dhe 3 vjedhje topi. E gjitha kjo në 36 minuta e gjysmë lojë. Antetokumbo nuk ishte keq, edhe pse gaboi mjaft nga largësia. Kapiteni i Miluokit shënoi 32 pikë, kapi 11 topa në tabela, shërbeu 6 asistë dhe vodhi 1 top.

Me gjasë, Lejkërsat triumfuan sepse Xhejmsi pati në krah Entoni Dejvisin që shënoi 30 pikë e kapi 9 topa në tabela. Shumë basketbollistë të tjerë luajtën mirë për të dyja skuadrat, dhe ndeshja ishte e ekuilibruar deri në fund. Lejkërsat ishin në epërsi vetëm tri pikë pas periudhës së parë, gjysma e ndeshjes u mbyll në barazpeshë, në periudhën e katër kryesoi Miluoki me 4 pikë, por në 12 minutat e fundit, Lejkërsat përmbysën shifrat duke fituar 113-103.

Me këtë sukses, kalifornianët siguruan kualifikimin në plej of, duke mbajtur kreun e Konferencës Perëndimore, ndërsa Miluoki udhëheq në Lindje dhe është skuadra me bilancin më të mirë në NBA në sezonin e rregullt.

Sfidanti.al