Në Lubjanë apo Tiranë? Koronavirusi bën lëmsh miqësoren Shqipëri-Slloveni!

As Shqipëria nuk mund të mos prekej nga kjo epidemi. Kombëtarja shqiptare do të duhet të ndryshojë planet për miqësoret e këtij muaji, përkatësisht ndaj Sllovenisë dhe San Marinos. Në 27 mars, ishte rënë dakord që të luhej pikërisht ndaj San Marinos, në fushën e këtij të fundit, por shteti i vogël ndodhet në brendësi të Italisë, madje në kufi të krahinës së Emilia Romanjës, nga më të goditurat nga koronavirusi.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se është rënë dakord me homologët e San Marinos që ndeshja të luhet në Shqipëri, me gjasë në “Arenën Air Albania”, apo diku tjetër, por problem mbetet dakordësia me sllovenët.

Edhe miqësorja e 30 marsit me Slloveninë ishte parashikuar për t’u zhvilluar në tokën italiane, në Udine, por tashmë asnjëra palë nuk dëshiron të luajë aty. Federata Shqiptare ka propozuar që gjithashtu të luhet në Tiranë, veçse nga Sllovenia ka pasur kundërpropozim që zhvendosja të jetë në  kryeqytetin e saj, Lubjanë. Ende nuk ka akord mes palëve, por gjithsesi do të arrihet një marrëveshje në mënyrë që miqësorja e rëndësishme të mos anulohet.

Sfidanti.al