Një fjalë goje të luash pa tifozë në stadium, dhe këtë e dinë të gjithë. Futbolli është bërë tepër i rëndësishëm nga ana financiare, një degë e fuqishme e ekonomisë, që krijon miliarda euro apo USD në vit, ndaj çdo cënim i këtij spektakli ka pasoja të rënda. Të tilla pritet t’i ketë Seria A e Italisë, e vendit të goditur më shumë në Europë nga koronavirusi.
Sipas llogaritjeve të bëra nga “La Gazeta delo Sporti”, dëmet financiare të klubeve të Serisë A pritet të jenë 20 milionë euro, vetëm nga vendimi i qeverisë për të luajtur për një muaj pa tifozë. Bëhet fjalë për biletat që nuk do të shiten, apo që do të kthehen, si dhe për pagesën e abonimeve që do të dëmshpërblehet.
Dëmi financiar llogaritet nga 50 000 euro për Breshën, 120 000 euro për Bolonjën, 150 000 euro për Kaljarin apo 200 000 euro për Atalantën, në 3.2 milionë euro për Interin (për dy ndeshje), për 2 deri në 4 milionë euro për Juventusin (3 ndeshje) apo Milani 3.5 milionë euro (2 ndeshje). Roma gjithashtu do të humbiste shumë, 1.5 milionë euro për dy ndeshje. Në total, klubet e Serisë A kanë xhiro 250 milionë euro në sezon nga biletat dhe abonimet, që do të thotë 12 për qind të xhiros së përgjithshme vjetore. Gjithashtu, nga masat e qeverisë pritet të dëmtohen edhe të ardhurat nga të drejtat televizive apo nga sponsorët, që janë të lidhura direkt me publikun në stadium.
Sfidanti.al