Koronavirusi? Premier Liga me vetëm 500 spektatorë për ndeshje!

Humbjet do të ishin dhjetëra e dhjetëra milionë euro, por jeta vlen më shumë. Premier Liga angleze mund të humbasë publikun nëpër stadiume, për shkak të frikës nga epidemia e koronavirusit. Qeveria britanike e kryeministrit Boris Xhonson planifikon të kufizojë praninë e spektatorëve deri në 500 vetë për çdo ndeshje, për të ulur mundësinë e përhapjes së sëmundjes, që deri tani ka marrë dy jetë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa numri i të sëmurëve po i afrohet shifrës 200.

Kjo do të thotë se stadiumet e shkëlqyer si “Old Trafordi” i Mançester Junajtidit, “Anfildi” i Liverpulit apo “Etihad” i Mançester Sitit, do të jenë thuajse plotësisht të zbrazur. Në “Old Trafordin” me rreth 75 000 vende, do të jenë të pranishëm më pak se 1 për qind e kapacitetit. Kjo përkthehet në humbje të mëdha financiare për klubet, të cilët fitojnë dhjetëra milionë paundë stërlina në sezon vetëm nga shitja e biletave, por rreziku duket shumë i madh.

Më herët, Federata Angleze vendosi të mos lejojë që lojtarët të shtrëngojnë duart përpara fillimit të ndeshjeve, duke nisur që nga kjo fundjavë. Për momentin, nuk ka rrezik që sezoni të ndërpritet, pavarësisht nga kufizimet e publikut, diçka që po ndodh gjithashtu edhe në Itali. Kufizimet nga qeveria britanike do të përfshijnë aktivitetet sportive, ato kulturore dhe çdo aktivitet që sjell grumbullim të madh njerëzish.

Sfidanti.al