Lebroni çon Lejkërsat në finalen e Perëndimir pas 10 vjetësh!

Në Amerikë dikur quhej “Perëndimi i Egër”, i tillë ishte vendi i madh përtej kufirit të vjetër, ku njerëzit rropateshin e vriteshin, ndërsa dëshira për pasurim mbizotëronte ndaj çdo gjëje tjetër. Një luftë e egër vazhdon edhe sot, veçse pa gjak, në parketet e NBA-së, e Los Anxhelos Lejkërsat arritën një kualifikim historik në finalen e Konferencës Perëndimore. Triumfi ishte 4-1 me fitore ndaj Hjuston Rokits, një rivali të fortë veçse liderët e tij Harden e Uestbruk nuk u ngjitën në nivelin që kërkohej.

Ishte Lebron Xhejmsi sërish “sherifi i bandës”, duke udhëhequr ekipin në ndeshjen e pestë me 29 pikë, 11 topa në tabela, 7 asistë, 2 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje. Është apo jo më i madh se Xhordani kjo nuk dihet, por është padyshim lojtari më i kompletuar në histori. Lejkërsat fituan thellë 119-96 duke mos e diskutuar ndeshjen, që tregon se janë një skuadër e madhe që pretendon titullin e NBA-së. Nuk ishte muzika e Enio Morrikones që shoqëroi fitoren e tyre në “Perëndimin e Egër”, dhe tani Liqenasit presin rivalin e finales, që do të jetë me shumë gjasa Los Anxhelos Klipersat. Ky do të ishte kulmi i finaleve, një film i vërtetë “uestern”.

Sfidanti.al