Mund të jesh në vend të parë, por asgjë nuk e ke të garantuar. Sidomos kur luan në NBA, në ligën më të fortë të basketbollit të botës, kur çdo kundërshtar hyn në fushë për të fituar. Lebron Xhejms e luajti ndeshjen e tij të zakonshme, por dy faktorë e bënë që të humbiste. Së pari, sepse Lejkërsat luajtën në fushën e Indianës, që ishte e frymëzuar dhe arriti fitoren e katërt radhazi, dhe së dyti sepse miqve u mungoi ylli tjetër, Entoni Dejvis i dëmtuar.
Nëse Lebroni ishte pranë një tripëll dabëlli me 20 pikë, 9 topa në tabela e 9 asistë, përballë tij ishte një yll nga Europa, Domantas Sabonis, që e pranoi sfidën. Djali i legjendarit Arvidas Sabonis, po bën emrin e tij në NBA, dhe përballë Lebronit shënoi 26 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 4 pasime për kosh. Jo vetëm kaq, por Sabonisi i ri ishte i saktë në gjuajtje, ndryshe nga Xhejmsi.
Legjenda e Lejkërsave, pavarësisht se shënoi dhe ndihmoi mjaft, gaboi shumë, duke mos realizuar asnjë gjuajtje për tri pikë. Suksesi i vendasve ishte edhe sepse 6 lojtarë shënuan mbi 10 pikë, dhe kjo bëri diferencën. Lejkërsat mbeten në krye të Konferencës Perëndimore me 24 fitore e 4 humbje, ndërsa Indiana është në vendin e gjashtë në Lindje.
Sfidanti.al