Kur edhe ky klub pranon të heqë simbolet, do të thotë se gjendja është serioze. Reali mbërriti në Hotelin “Mbretëresha Sofia” të Barcelonës, pa emblemën e tij në autobusin e skuadrës, madje duke hyrë nga dera e pasme. Të tilla ishin masat e sigurisë në prag të “El Klasikos” që luhet sot në orën 20:00 në “Kamp Nou”.
Gjithsesi, madrilenët nuk erdhën krejt si anonimë, pasi një sy i kujdesshëm dallonte mesazhet me shkronja të vogla. “Frika është armiku” shkruhej në autobusin e parë, “forca le të jetë me ty”, ishte mesazhi në të dytin, që të dy të shkruar në anglisht. Frika nga protestat e katalanasve bënë që ndeshja më e madhe e Europës, të jetë nën masa të rrepta sigurie. Pasi u shty me 53 ditë, dy ekipet u detyruan të vendoseshin në të njëjtin hotel vetëm 500 metra larg “Kamp Nout”, dhe të hynin nga prapa, për t’iu shmangur tifozëve dhe mediave. Jo vetëm kaq, por ata shkojnë bashkë në stadium, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Forcat e sigurisë kanë realizuar një rrethim të hekurt të stadiumit dhe të zonës pranë tij, në të cilin janë angazhuar plot 500 agjentë specialë, dhe 4000 njerëz në tërësi. Agjentët kanë bërë kontrolle të gjata dhe të imtësishme për të shmangur çdo të papritur. Shqetësimi është i madh nga protestat kundër burgosjes së politikanëve katalanas që organizuan referendumin për pavarësi, dhe organizata e quajtur “Cunami Demokratik” ka bërë thirrje për manisfetim masiv.
Kjo e ka zhvendosur në plan të dytë duelin mes dy ekipeve më të mira të Spanjës. Reali vjen me mungesa të rëndësishme pasi Hazar dhe Marselo nuk e kanë kaluar dëmtimin. Barça ka më pak shqetësime, ndërsa në fushë pritet të jetë treshja sulmuese Mesi-Suarez-Grizman. Gjithsesi, madrilenët kanë besim tek trajneri i tyre, Zinedin Zidan, i cili nuk ka humbur asnjë ndeshje në stolin e Realit në “Kamp Nou”, duke arritur një fitore e dy barazime.
Sfidanti.al