Dikur ka qenë ndeshja numër 1 e NBA-së. Boston Sëlltiks-Los Anxhelos Lejkërs nuk është më aq e lavdishme sa më parë, por gjithsesi mbetet një spektakël për t’u ndjekur. Vendasit dhe kalifornianët janë ekipet me më shumë tituj në basketbollin amerikan, me nga 17 secili, dhe sfida e mbrëmjes së fundit në Arenën e Bostonit ia vlejti për t’u ndjekur. Dy ekipet nuk iu ndanë njëri-tjetrit deri në fund, pati barazim rezultati pa fund, dhe ndryshim epërsie sa nga njëri krah në tjetrin.
Lejkërsat, të ndihmuar nga superyjet Lebron Xhejms e Entoni Dejvis, ia dolën të fitonin 96-95, por duke mbetur me zemër në dorë deri në sekondën e fundit. Lebroni pati një ndeshje që mund ta quajmë normale, me 21 pikë, 7 topa në tabela e 7 asistë, por shpesh herë ndjeu vështirësi dhe e humbi topin plot 5 herë. Dejvis dha kontribut të madh me 27 pikë e 14 topa në tabela, veçse u vu disa herë në vështirësi në mbrojtje nga sulmet e vendasve.
Bostoni u udhëhoq nga Xhejzën Tatëm me 30 pikë e 9 topa në tabela, dhe Xhejlën Braun me 28 pikë. Në fund, Lejkërsat realizuan një shkëputje të vogël dhe u mendua se do të fitonin pa problem, por Sëlltiksat reaguan duke u afruar në vetëm 1 pikë diferencë. Për fatin e kampionëve në fuqi, vendasit nuk arritën të realizonin gjuajtjen e fundit pikërisht kur po binte sirena që lajmëronte fundin e ndeshjes. Lejkërsat dhe Bostoni do të luftojnë tashmë për rekordin e ri në NBA, për të arritur në nivelin e 18 titujve.
Sfidanti.al