Kritikat nga Franca: Paris SG mbytet në Bretanjë!

Është e pamundur të imagjinohet në këtë moment se dy skuadrat që ishin përballë njëra-tjetrës i ndajnë 18 vende në klasifikimin e Ligës së Parë të Francës. Paris SG pësoi një humbje të pabesueshme në fushën e Lorienit, 2-3, pavarësisht dy golave në Nejmarit (të dy me penallti). Kjo ishte disfata e parë e trajnerit të ri, Maurisio Poçetino, veçse e pesta për kampionët në fuqi këtë sezon të kampionatit!

“Fjala “sensacion” është tepër e dobët për të shpjeguar atë që ka ndodhur, – shkruan “Lë Parizien”, – një ndeshje surreale, ku parizienët nuk ekzistuan fare në dyluftime dhe vendasit e merituan fitoren. Që nga fillimi, kjo sjellje e PSG-së krijoi parandjenjën e një katastrofe. Kjo humbje është shumë shqetësuese”.

Poçetino duket se do të ketë punë tepër të madhe për të bërë pasi parizienët nuk janë aspak si vjet. Mbape ndoshta dëshiron të largohet, Nejmar nuk mjafton, Verrati mungon, janë larguar lojtarë me përvojë si Tiago Silva dhe Kavani, ndërsa mbrojtja ka “pesha të lehta” si Kehrer, Kimpembe apo Danilo. Ikardi ka një rënie në lojë dhe Kurzaua është gjithashtu “anonim”. Siç thekson “Lë Parizien”, herën e fundit që PSG pësoi 5 humbje, nuk arriti të fitonte titullin. Për herë të parë pas disa vjetësh, në Francë po mendohet se Lioni apo Lila mund t’ia marrin kurorën kampionëve.

Sfidanti.al