Kujdes Golden Stejt, ky Hjuston dhe ky Harden e kanë seriozisht!

Lebron Xhejms nuk mund të lihet kurrë mënjanë, së bashku me Klivlendin e tij të rinovuar dhe të përmirësuar, por gjithsesi, rreziku kryesor për kampionen e NBA-së, Golden Stejt, nuk vjen nga Ohajo. Rivali numër 1 që mund t’i marrë kurorën, dhe madje mund të mos e lejojë aspak të arrijë në Finalen e Madhe, e ka emrin Hjuston Rokits. Skuadra kampione e NBA-së, e viteve 1994-1995, kryeson renditjen dhe është numri 1 deri tani në fazën e rregullt të sezonit.

Pasardhësi i denjë i Hakim Olaxhuonit është Xhejms Harden, një afro-amerikan si shumica e yjeve të basketbollit amerikan, i cili tregoi klasin dhe karakterin e tij edhe në përballjen në fushën e Oklahomës. Nuk ishte provë e vogël, kundër një skuadre të mbushur sërish me talente, pasi përveç Uestbrukut ishin edhe Pol Xhorxh e Karmelo Entoni.

Vendasit nuk ia dolën përballë një skuadre shumë të mirë si Hjustoni, me një numër të madh lojtarësh të pjekur e të rëndësishëm. Harden shënoi 23 pikë, kapi 5 topa në tabela, shërbeu 11 asistë, vodhi 4 topa dhe bllokoi 1 gjuajtje.

Në krah të tij, Kris Pol me 25 pikë, 5 asistë e 3 vjedhje, por edhe Trevor Ariza me 15 pikë, Erik Gordon me 14, Klint Kapela me 10, po aq sa Taker, ndërsa Mbah a Mute realizoi 11. Oklahoma udhëhoqi vetëm në periodën e parë, ndërsa më pas epërsia ishte ekipit nga Teksasi. Kjo edhe pse Uestbruk pati 32 pikë, 4 topa në tabela e 7 asiste, ndërsa pikë të rëndësishme shënuan Xhorxh dhe Entoni. Hjustoni është në krye të Konferencës Perëndimore me 50 fitore e 13 humbje (Golden Stejti 50 fitore, 14 humbje), duke pasur rezultatin më të mirë në NBA, ndërsa Oklahoma rrezikon kualifikimin për në plej of.

Sfidanti.al