Nuk mjaftoi goditja dhe tentativa për t’i futur thikën trajnerit Ernest Gjoka, por nga Shkodra vjen “xhevahiri” i radhës. Trajneri i Vllaznisë B, Ervi Kraja, ka postuar një foto dhe një video ku tregohet makina e tij me goma të shpuara. Nuk dihet se cili ia ka shpuar gomat dhe se përse, por nuk është e vështirë për ta marrë me mend. Një tjetër version kërcënimi ndaj trajnerit i cili ka në dorë vetëm që të aktivizojë ose jo futbollistët e tij.
Të duket se Shkodra e futbollit, Vllaznia, është kthyer në një “mini Siçili”, ku problemet zgjidhen me kërcënime, ku ligji dhe organet përkatëse ekzistojnë thjesht sa për të thënë se i kemi, dhe ku opinioni thuajse është i pandjeshëm.
M’u kujtua Siçilia, dhe bëra krahasimin, jo për kohën e vitete 1980-90, të Riinës e Provencanos, por për kohën e sotme. Edhe pse nuk ka vrasje, në ishullin më jugor të Italisë, vazhdojnë kërcënimet nëpër fshatra për t’i marrë tokën familjeve të atyshme, duke u përpjekur t’i trembin me bagëti të vrara, qen të helmuar, të mbjella të shkatërruara.
Edhe në Siçili ka ligj, ka prokurori, gjykatë, polici, por thuajse asgjë nuk ndodh. Në Shkodër, po ashtu ekzistojnë të gjitha, veçse mesa duket politika dhe “të fortët” bëhen bashkë për të keqen e futbollit.
Sfidanti.al