Kërri zgjohet vonë dhe i jep fitoren Golden Stejtit në Hjuston!

Janari nuk ishte një muaj i jashtëzakonshëm për të, por gjithsesi e mbylli shkëlqyeshëm. Stefën Kërri la pas një periudhë mesatare duke shënuar 40 pikë në Arenën e Hjustonit për fitoren e Golden Stejtit, 122-108. Skuadra e dytë më e mirë e NBA-së e tregoi sërish veten dhe basketbollisti me numrin 30 shënoi 21 nga 40 pikët në periudhën e katërt, pra për 10 minuta duke i dhënë drejtim ndeshjes. Ishte një reagim nga Kërri për rënien e janarit, pasi mesatarja e pikëve të shënuara për ndeshje kishte zbritur në 21, në krahasim me 27.6 që ishte në dhjetor. “Kjo është e mira dhe e keqja kur e ngre shumë lart stekën, – tha ai më pas, – lavdërohesh kur gjërat shkojnë mirë, dhe kritikohesh kur nuk shkojnë siç duhet”. Gjithsesi, Golden Stejti e ka pasur të mirë janarin, ndërsa arriti fitoren e 6-të radhazi dhe ka 38 fitore e 13 humbje, në vend të dytë në Perëndim.

Sfidanti.al