Atletika evropiane përjetoi një mbrëmje magjike në Veltklase të Zyrihut dhe për këtë meritën e ka Karsten Varholm me paraqitjen e bërë në garën e 400 m me pengesa. Atleti norvegjez shkroi historinë në atletikën e kontinentit teksa theu rekordin evropian të kësaj gare me 46.92 sekonda duke thyer atë të mëparshmin të 47.12 sekonda të vendosur po prej tij në fund të muajit korrik.
Për më tepër, kjo kohë e regjistruar prej tij është edhe e dyta më e mirë në historinë e garës së 400 m pas rekordit mitik të vendosur nha amerkikani Jang në Lojërat Olimpike të Barcelonës në vitin 1992 me 46.78 sekonda.
Dhe të mendosh që ajo në Zvicër nuk ishte gara perfekte e Varholm. Amerikani Benxhamin ia vështirësoi shumë gjërat norvegjezit në 50 m e fundit pasi kishte krijuar një avantazh të ndjeshëm ndaj tij, por Varholm rezistoi dhe në fund arriti të mbyllë garën me rekordin evropian 46.92 sekonda. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që 2 atletë të kenë një kohë nën 47 sekonda në garën e 400 m. Botërori i atletikës në Doha po afron dhe duket se spektakli në këtë garë duket se është i garantuar.
sfidanti.al