Jokiç? Jo, nuk ka më të fortë se dyshja Kris Pol-Devin Buker e Feniksit!

Kris Pol e tregoi veten si vera e vjetër, që sa më shumë kohë kalon aq më e mirë bëhet, duke i treguar rrugën shokëve më të rinj. Ai shënoi 37 pikë, ndonëse është 36 vjeç, ndërsa shërbeu edhe 7 asistë e vodhi 2 topa. Në krah të djalit të ri, Devin Buker, Pol krijoi boshtin me të cilin Feniks Sansi përballoi lojtarin më të mirë të sezonit të rregullt në NBA, Nikola Jokiç. Feniksi u kualifikua për në finalen e Konferencës me rezultatin më të pastër të mundshëm, 4 fitore e 0 humbje, pasi triumfoi në ndeshjen e katërt në Denver me shifrat 125-118. Buker shënoi 34 pikë, kapi 11 topa në tabela, dhe shërbeu 4 asistë, ndërsa Nikola Jokiç u përjashtua nga loja pas një konflikti pikërisht me Bukerin. Lojtari i shkëlqyer nga Serbia me nervat e tij tregoi se punët për Denverin nuk po ecnin mirë. Ai ishte në fushë vetëm 27 minuta, shënoi 22 pikë dhe kapi 11 topa në tabela, plus 4 asistë, por përjashtimi i tij e dënoi përfundimisht ekipin vendas. Vitet e fundit, lojtarët më të mirë nuk po dalin dot kampionë në NBA, siç e tregoi dy vjet rresht Janis Antetokumbo.

Sfidanti.al