Dy nga yjet kryesorë të NBA-së arritën fitore me skuadrat e tyre dhe si gjithnjë ishin protagonistë, por jo në mënyrë të njëjtë. Nikola Jokiç e Janis Antetokumbo mbeten pretendentë për të synuar titullin, edhe pse basketbollisti serb këtë herë bëri më shumë për ekipin e tij. Jokiç shkëlqeu në fitoren e rëndësishme të Denverit në fushën e Portlendit, 120-115, duke shënuar 36 pikë, kapur 11 topa në tabela e shërbyer 5 asistë. Ai realizoi 4 gjuajtje për 3 pikë, ndërsa Denveri shënoi plot 20 të tilla. Edhe pse në mungesë të një ylli të rëndësishëm si Xhamal Marrej, sërish skuadra nga Kolorado ia doli mbanë dhe është më pranë kualifikimit për në raundin e dytë të plej ofit.
Ylli I Miluokit ndërkaq pati një mbrëmje thuaje “pushimi” kundër Majemit. Në fushë kundërshtare, Antetokumbo nuk është se nuk luajti fort, por shënoi pak 17 pikë, si dhe kapi 17 topa në tabela e shërbeu 5 asistë. Rol të madh luajtën Kris Midëllton me 22 pikë, 8 topa në tabela e 5 asistë, Bruk Lopez me 13 pikë, Holidei me 19 pikë e 12 asistë, Portis me 11 pikë e 9 topa në tabela apo Forbs me 11 pikë. Plot 10 lojtarë të Miluokit realizuan pikë në fitoren e thellë jashtë fushe 113-84 që ishte një mesazh për NBA-në sepse po luhej kundër nënkampiones në fuqi.
Sfidanti.al