Interi në kaos, pas Kontes mund të ikin edhe yjet!

Largimi i trajnerit nga klubi milanez pati një arsye të vetme, krizën financiare. Menjëherë pas një titulli që u prit si kthimi i Mesisë, Antonio Konte bisedoi me presidentin Çang dhe kuptoi se gjendja në thesarin zikaltër ishte e rëndë. Mungonin të paktën 100 milionë euro, ndaj edhe projekti ishte që një yll i rëndësishëm të shitej (Lukaku?) dhe rrogat të uleshin me 20 për qind. Nga përvoja në futboll, Konte e dinte se kjo do të thoshte dëmtim i madh i skuadrës dhe shanse shumë më të vogla për të konkurruar për tituj, qoftë në Serinë A, qoftë në Champions. Vendimi i 51-vjeçarit nuk ishte i lehtë, por Konte është nga ata që e merr shpejt vendimin, ndërsa pas tij nga Interi mund të largohen edhe të tjerë.

Romelu Lukaku, karton e rroga bashkë, mund të kushtoj 100 milionë euro pra vetëm sulmuesi belg do të mjaftonte që të zgjidhte krizën financiare. Gjithsesi, largimi i trajnerit dhe Lukakut, dhe propozimi për ulje rrogash me 20 për qind do të bënte që Lautaro Martinez të shikonte mundësinë për t’u bashkuar me Realin ose Atletikon, dhe që Ashraf Hakimi të mund të kthehej në “Bernabeu”. Interi kishte probleme edhe përsa i përket stolit, pasi Simone Inzagi fillimisht u duk se do të vazhdonte tek Lacio, ndërsa emrat që jepeshin ishin Sinisha Mihajloviç i Bolonjës, Dejan Stankoviç i Crvena Zvezdës dhe Paulo Fonseka që ishte me Romën.

Sfidanti.al