Jokiç barazon Robertsonin, ka nga ata që e krahasojnë me Lebronin!

Ka nga ata që guxojnë ta krahasojnë me vetë Lebron Xhejmsin. Jo vetëm kaq, por sipas disa analistëve Nikola Jokiç është këtë sezon edhe më i mirë sesa “Mbreti i basketbollit”, por për diçka jemi të sigurt, që Nikola Jokiç është një rekordmen. Ylli i Denverit barazoi legjendën Oskar Robertson si dy lojtarët e vetëm në NBA që kanë pasur mbi 200 pikë, mbi 100 topa në tabela e mbi 100 asistë në 10 ndeshjet e para të edicionit.

Këtë arritje të madhe, ai e realizoi në fitoren e Denverit 114-89 ndaj Nju Jorkut, pasi shënoi 22 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë. Për ta kuptuar rëndësinë e barazimit të rekordit, mjafton të thuhet se nivele të tilla nuk shiheshin në Amerikë që nga viti 1961. Në total, Jokiç ka 244 pikë, 112 topa në tabela dhe 104 asistë në 10 sfidat e para të këtij sezoni.

Në moshën 25-vjeçare dhe me shtatlartësinë 2.13 metra, basketbollisti serb po kthehet në një nga më të mirët e ligës, dhe padyshim cilësohet si lojtari qendër më i mirë. Talenti i tij është i tillë, saqë ai cilësohet një lojtar anësor i mishëruar në trupin e një qendre. Vitin e kaluar, Jokiç udhëhoqi Denverin deri në finalen e madhe të NBA-së humbur vetëm përballë Lejkërsave të Lebron Xhejmsit.

Këtë herë, skuadra nga Kolorado nuk e ka nisur shumë mirë kampionatin, por me një lider të tillë padyshim që mund ta kthejë fatin për mbarë. Jokiç ka mesatare tripëll dabëlli në sezon, me 24.4 pikë për ndeshje, 11.2 topa në tabela e 10.4 asistë për ndeshje, një mesatare që e kanë arritur vetëm Oskar Robertsoni dhe Rasëll Uestbruku.

Sfidanti.al