Brdariç, nga Championsi i humbur ndaj Zidanit, tek titulli kampion me Vllazninë!

Si lojtar e preku triumfin e madh, por nuk arriti ta kapte plotësisht. Tomas Brdariç, trajneri i sotëm i Vllaznisë, ishte pjesë e Leverkusenit të famshëm të sezonit 2001-2002, që arriti finalen e Championsit përballë Realit të madh të Zidanit e Figos, që mbërriti finalen e Kupës së Gjermanisë, dhe luftoi deri në javën e fundit për titullin në Bundesligë. Përfundimi ishte një dështim i trefishtë, një dëshpërim jo vetëm për Brdariçin, por sidomos për ekipin, të cilit iu vu nofka, “Neverkusen”, pra që nuk fiton kurrë.

Brdariç ndoshta erdhi në Shkodër 10 gushtin e kaluar pikërisht me këtë synim, të realizojë si trajner atë që nuk mundi ta bënte si lojtar. Pavarësisht skepticizmit të fillimit, tekniku gjermano-kroat po zhvillon një sezon vërtet shumë të mirë me Vllazninë, për meritën e tij personale, por edhe të skuadrës e të gjithë klubit. Shkodranët janë në krye të Superligës me meritë të plotë, me 29 pikë pas 13 javësh, 9 pikë mbi ndjekësit më të afërt.

Ndoshta, Brdariçi ka sjellë tek Vllaznia njohuritë e tij si trajner, që i ka fituar në Gjermani, veçse me ekipe jo të njohur si Zolingeni, Shtajnbahu, Tenis Borusia Berlin apo Rot-Vajs Erfurt. Niveli më i lartë i arritur prej tij ishte Shkëndija e Tetovës, ku edhe festoi ditëlindjen në janar 2017, por nga ku u largua shpejt.

Dyzetepesëvjeçari, me gjasë, ka injektuar në ekip frymën dhe personalitetin e tij, si një lojtar që nuk dorëzohej kurrë, ndërsa luajti për Leverkusenin, Hanoverin apo Volfsburgun. Jo vetëm kaq, por ai ishte thuajse i vetmi që pati karakterin t’i kundërvihej të frikshmit Oliver Kahn, duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë në fushën e lojës, ndryshe nga të famshëm si Miro Klose e të tjerë që nuk patën guximin ta bënin.

Ky guxim ndoshta po e shtyn të besojë se mund të fitojë titullin me një ekip që deri vjet luftonte për mbijetesë. Gjithsesi, është interesant fakti sesi një njeri që përkufizohej si egoist kur ishte lojtar, sot është krejt i ndryshuar. Tek Hanoveri, një herë u shpreh se “për një sulmues është më mirë të shënosh gol sesa të fitojë ekipi”. Sot, në stolin e Vllaznisë, padyshim që ai mendon krejt në të kundërt, por diçka normale pasi njeriu mbetet një egoist i pandreqshëm. Gjithsesi, në Shkodër ka rëndësi që Vllaznia është e para.

Ish-trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, theksoi një cilësi të ekipit të Brdariçit këtë sezon: “Më ngjan si Tirana ime vjet, ka shumë harmoni, kur shënohet gol përqafohen që të gjithë, lojtarët dhe njerëzit e stolit, ndaj për mua janë kandidat i fortë për titull”.

Vetë Brdariç është shumë aktiv në stol, por tepër i qetë në intervistat pas ndeshjeve. Në vijim të fitores ndaj Teutës, ai u ngacmua se duhet të jetë më i qetë me 9 pikë epërsi. “Unë jam llogaritar shumë i keq”, – ishte përgjigja. Brdariç është ndoshta trajneri më i veçantë i Superligës, me çadrën që nuk i ndahet në Shkodër, ngacmohet nëse ajo i sjell fat, dhe përgjigjet me humor. “Unë do të kisha vdekur, po të mos kisha pasur çadër”.

Sfidanti.al