Lacio nuk i ngjan më si një familje, Strakosha mund të bëhet “plangprishës”!

Ka provuar kulme dhe ka merituar gjithçka. Tomas Strakosha ishte si një “meteor” tek Lacio me ngjitjen e tij të pandalshme që nga mosha 18-vjeçare e deri pak javë më parë, por duket se kjo mrekulli po njeh fundin e saj. Portieri shqiptar prej shumë ndeshjesh është në stol, në favor të zgjedhje së parë të trajnerit Inzagi, Pepe Reinës, dhe lajmet janë që roli i zëvendësit i ka ardhur në majë të hundës.

Mediat italiane raportojnë se Strakosha ka reaguar ashpër pasi trajneri komunikoi se ai do të ishte sërish në stol, madje duke braktisur seancën stërvitore në Formelo në prag të sfidës së javës së kaluar në Serinë A, ndaj Parmës. “Il Korriere dela Sera” raporton se raporti me klubin është për momentin i prishur dhe se 25-vjeçari me shumë mundësi do të largohet, pse jo që tani në janar.

E pamundur ta ndihmojë patrioti i tij, Igli Tare, edhe pse në rolin e drejtorit sportiv tek Lacio, pasi në futbollin profesionist nuk mund të bëhen ndere. Strakosha luajti pak këtë sezon edhe për shkak se u infektua me koronavirus, dhe ishte në fushë vetëm për disa ndeshje. Inzagi u detyrua t’i besonte Reinës i cili e shfrytëzoi rastin megjithë moshën 38-vjeçare, i ndihmuar nga përvoja e madhe që ka kaluar me Barcelonën, Liverpulin, Bajernin apo Napolin.

Strakosha ndodhet tek Lacio që në vitin 2014 kur ishte 18 vjeç, dhe për shumë sezone ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm. Ai rinovoi kontratën në 2017, me afat deri në 2022 me rrogë rreth 1 milionë euro, ndërsa po flitej për rinovim tjetër deri në 2025 me dyfishim të pagesës. Tashmë, një nga dy portierët kryesorë të Shqipërisë, Strakosha dëshiron të jetë vazhdimisht në fushë dhe kandidatët për ta marrë padyshim që nuk mungojnë.

Sfidanti.al