Pas ndarjes me Boris Bekerin, Novak Gjokoviçi është vënë në kërkim të trajnerit të ri. Megjithatë, edhe më tej, në qendër të vëmendjes, është “guruja” (udhëheqësi shpirtëror) i tij, spanjolli Pepe Imaz, për të cilin spekulohet se është shkaku i vërtetë i prishjes së kontratës mes Bekerit dhe Noles, por vetë Pepe i hedh poshtë këto spekulime. “Unë e di mirë se kush është Borisi dhe, për mua, ishte një kënaqësi e madhe që të punoja me të. Për mua, ai ishte një dhuratë e vërtetë nga Zoti. Por, në rast se këtë vendim e merr vetë Novaku, unë, atëherë, nuk mund të bëj asgjë. Marrëdhëniet e mia me të (Bekerin) kanë qenë shumë harmonike. Unë Borisin e konsideroj si një njeri të shkëlqyer, ai është fantastik”, thotë Pepe Imaz.
Ky spanjoll thotë se e kishte njohur Nolen përmes vëllait të tij më të vogël, Markos, të cilin ai arriti që ta nxjerrë nga depresioni. “Marko donte që të bëhej profesionist dhe të arrinte suksese si vëllai i tij më i madh, Novaku, por, më pas, ai ra në depresion dhe luftoi kundër tij gjatë dy viteve. Ai erdhi tek unë që të punoja më të në aspektin emocional dhe, pas vetëm pesë ditësh, ndjeu një ndryshim të madh. Novaku interesohej për gjithçka që kishte lidhje me të vëllanë e tij, dhe, duke pasur parasysh se ai është një njeri që synon të mësojë shumë, është shumë pasionant dhe plot respekt, ne u njohëm dhe filluam e vazhdojmë të bashkëpunojmë”, thotë Imazi.
Sfidanti.al