“I vogli mund viganin”, Sllovenia drejt titullit europian në volej, pas fitores me Rusinë!

Ishte padyshim beteja e Davidit me Goliadhin. Një vend tepër i vogël si Sllovenia u vu përballë një gjigandi si Rusia, dhe doli fitues në duelin e jashtëzakonshëm të Europianit në volejboll për meshkuj. Ballkanasit triumfuan 3-1 me sete, duke arritur në gjysmëfinale, e duke eleminuar kampionen në fuqi.

Padyshim, ndihmoi shumë atmosfera prej ferri e krijuar nga mbi 11 000 tifozë vendas, në Arenën “Shtozice” të Ljubljanës, por meritën më të madhe e patën vetë volejbollistët sllovenë. Pas dy orësh e 10 minutash, ata mposhtën rusët me rezultatin e seteve 25-23, 25-22, 21-25 e 25-21.

Më të mirët për ekipin e trajnerit Alberto Xhuliani ishin Tine Urnaut, Klemen Cebulj e Mitja Gasparini. Rusisë së madhe nuk i mjaftuan të shkëlqyerit Viktor Poletajev dhe Jegor Kliuka, dhe ajo pësoi një dështim të madh, por që mund të quhet i pranueshëm për kohën në të cilën jetojmë. Tashmë, sport mund të bëjë çdo vend, edhe një shtet i vogël.

Sllovenia padyshim që do të ketë moral tepër të lartë pas eleminimit të një ekipi që ka dalë 14 herë kampion i Europës, përfshi edhe titujt e ish-Bashkimit Sovjetik. Ballkanasit do të ndeshen në gjysmëfinale me Poloninë, që është në formë të madhe, dhe që eleminoi bindshëm Gjermaninë me rezultatin 3-0.

Sfidanti.al