Sezoni, papritur mori për keq, dhe po mendohet për shpëtimtarin. Shkëndija e Tetovës, kampionia e Maqedonisë së Veriut, me gjasë e ka gjetur dhe mediat njoftojnë se ka bërë propozimin për një emër të njohur. Kristian Panuçi, ish-trajner i Shqipërisë, mund të ulet në stolin e tetovarëve, të paktën sipas lajmit që jep media maqedonase, “sportmedia”.
Kjo media njofton se drejtuesit e Shkëndisë kanë kontaktuar italianin duke i bërë ofertën, madje përgjigja nga Panuçi ishte që e sheh me sy të mirë një bashkëpunim të tillë. Pengesa e vetme, sipas “sportmedias”, është tek bisedimet që ish-tekniku i Shqipërisë ka me Arisin e Selanikut, pasi ai do të pranonte Shkëndinë vetëm nëse dështon kalimi në Greqi.
Skuadra shqiptare e Maqedonisë së Veriut pati një fillim shumë të keq të edicionit, me eleminim të turpshëm nga Championsi e Liga e Europës, si dhe me mjaft hapa falsë në kampionat, ku ndodhet në vendin e 4-ët, me 6 pikë më pak se Vardari kryesues. Këtë mesjavë luhet pikërisht derbi ndaj Vardarit në Shkup, të cilin Shkëndija do të kërkojë ta fitojë, ose të paktën të mos e humbasë për të mos mbetur tepër larg garës për titull.
Panuçi, ish-lojtar i shquar me Milanin, Realin apo Romën, nuk pati sukses në stolin e Shqipërisë, duke u shkarkuar pasi arriti vetëm 4 fitore në 15 ndeshje.
Sfidanti.al